Ilaçet: Përdorimi dhe abuzimi
Me fjalë të thjeshta, një ilaç me recetë përdoret siç duhet kur merret sipas udhëzimeve të mjekut që e njeh mirë kartelën tënde shëndetësore. Kjo kërkon edhe të marrësh dozën e duhur në kohën e duhur, në mënyrën e duhur dhe për arsyen e duhur mjekësore. Prapëseprapë mund të shfaqen shenja të padëshirueshme ose të papritura. Nëse ndodh kjo, fol menjëherë me mjekun. Ai mund të ta ndryshojë recetën ose të ta heqë fare atë ilaç. I njëjti parim vlen edhe për ilaçet pa recetë: përdori vetëm kur ke vërtet nevojë dhe ndiq me kujdes udhëzimet e shkruara.
Njerëzit luajnë me zjarrin kur marrin ilaçe për arsyen e gabuar, i shpërfillin udhëzimet për dozën, përdorin ilaçe që i janë dhënë dikujt tjetër ose nuk i marrin në mënyrën e duhur. Për shembull, disa hape duhet të gëlltiten komplet që përbërësi aktiv të çlirohet ngadalë në trup. Shpesh abuzuesit e prishin këtë proces duke i thërrmuar a përtypur hapet, duke i shtypur dhe thithur ose duke i tretur në ujë e pastaj i marrin me injeksion. Për momentin pasoja është një gjendje euforie a përhumbjeje, por ky mund të jetë hapi i parë drejt varësisë. Por edhe më keq akoma, kjo mund të jetë vdekjeprurëse.
Nga ana tjetër, nëse dikush po merr një ilaç me recetë në mënyrën e duhur, por dyshon se po bëhet i varur, duhet të flasë sa më shpejt me mjekun. Mjeku duhet ta dijë cila është rruga më e mirë për ta zgjidhur këtë situatë, pa lënë pas dore problemin shëndetësor.